Autoriteti Portual po merr masa për mbarëvajtjen e ceremonisë së Ujit të Bekuar, e cila si çdo vit do të zhvillohet më 6 janar paradite në pjesën qendrore të basenit portual. APD i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kishës Ortodokse të Durrësit për krijimin e kushteve brenda hapësirës portuale.
Forcat e Sigurisë Portuale dhe mjeti lundrues i saj do të kujdesen për mbarëvajtjen e ceremonisë, që do të nisë rreth orës 10.30, aty ku bashkohen kalatat 4 dhe 5. Autoambulanca dhe zhytësit do të jenë si gjithmonë në gatishmëri për të asistuar në rast nevoje të rinjtë që hidhen për të kapur Kryqin në ujrat e detit Adriatik.
Siç dëshmojnë edhe fotot e viteve 2016 e 2017, qindra besimtarë ortodoksë marrin pjesë çdo 6 janar në kremtimin e Ditës së Ujit të Bekuar. Natën e 5-6 janarit 2017 qyteti i Durrësit u zbardh nga dëbora, por ceremonia u zhvillua sipas parashikimit.
Kremtimi i Ditës së Ujit të Bekuar në Durrës është një nga ceremonitë fetare e qytetare që zhvillohen çdo vit në mjediset e Portit më të madh të vendit.