Mbi 35 mijë udhëtarë shqiptarë dhe të huaj me 6,200 autovetura gjithsej kanë preferuar udhëtimin me tragete gjatë tre javëve të para të muajit tetor.
Nga të dhënat operative të Autoritetit Portual, mësohet se numri më i madh i udhëtarëve në hyrje-dalje nga porti i Durrësit shënohet ditëve të djela, kur tragetet transportojnë deri në 2,300 udhëtarë me 330 autovetura gjithsej.
Sipas të dhënave portuale, gjatë periudhës 1 – 21 tetor të këtij viti kanë mbërritur në Durrës 16,943 udhëtarë me 3,402 autovetura, ndërsa 18,201 udhëtarë të tjerë me 2,791 autovetura janë larguar me tragete nga porti më i madh i vendit. Në të njejtën periudhë tragetet kanë transportuar edhe 6,193 kamjonë dhe trajlerë me mallra import-eksporti.
Nga porti i Durrësit drejt Barit, Ankonës dhe Triestes e anasjelltas gjatë kësaj stine lundrojnë 5 tragete gjithsej.
Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti tragetet janë shfrytëzuar nga 730 mijë udhëtarë gjithsej, një shifër 3 përqind më e lartë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar.