APD: Më shumë anije dhe mallra në katër muaj -Më pak lundrime tragetesh, por më shumë udhëtarë dhe mallra-

Në periudhën janar – prill të këtij viti në kalatat e portit detar janë ankoruar 177 anije tregtare, ose 11 anije më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar.

Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se rritje të numrit të anijeve në përpunim ka patur veçanërisht në Terminalin Lindor, ku janë ngarkuar dhe shkarkuar 26 anije më shumë se sa në katër muajt e parë të vitit 2016. Në këtë Terminal gjatë katër muajve të parë të këtij viti janë përpunuar 42 anije gjithsej, ndërsa në Terminalin Perëndimor dhe në atë të Kontejnerëve janë përpunuar përkatësisht 76 dhe 59 anije tregtare.

Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti tragetet e linjave kanë kryer 297 lundrime, ose 28 më pak se sa e nejjta periudhë e vitit të kaluar, por ato kanë transportuar 4 përqind më shumë udhëtarë dhe 5 përqind më shumë mallra se në 4-mujorin e parë të vitit 2016. Në këto katër muaj, mbi 181 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj kanë shfrytëzuar tragetet, të cilat kanë transportuar gjithashtu edhe 261 mijë ton mallra.

Anijet dhe tragetet në këto katër muaj kanë transportuar 1.143.470 ton mallra gjithsej, ose 8 përqind më shumë se në janar-prill 2016.