Moti i paqëndrueshëm që përshiu vendin tonë përgjatë fundjavës që lamë pas, ka ndikuar edhe në veprimtarinë portuale të Portit të Durrësit. Në zbatim të udhëzimeve nga Drejtoria e Përgjithshme Detare dhe Kapiteneria e Portit u morën masat për ndalimin e anijeve të tonazhit të ulët dhe të mesëm, duke krijuar siguri për qëndrimin e tyre në kalatat portuale.
Ndërkohë që ka patur herë pas herë pezullim të përkohshëm aktivitetit të përpunimit, si pasojë e pranisë së reshjeve intensive të shiut dhe erës së fortë. Sipas të dhënave të Kapitenerisë, forca e detit përgjatë fundjavës në Gjirin e Durrësit arriti nga 5- 8, shoqëruar me erën e fortë me shpejtësi nga 15-20 m/s, ndërsa lartësia e dallgës në det të hapur arriti 1.80-3.50 m. Në këto kushte, mbrëmjen e së dielës, pati vonesa edhe në lundrimet e trageteve nga Porti i Durrësit drejt Barit, të cilt kanë arritur të nisen vetëm në orët e para të së hënës, me disa orë vonesë. Fillimi i javës nisi disi më i normalizuar dhe me përmirësim të kushteve të motit duke bërë të mundur rikthimin e aktivitetit të plot tregtar në të gjtihë sektorët e Portit më të madh në vend. Anijet e akostuara në kalatat portuale 5 dhe 6 po vijojnë procesin e shkarkimit të mallrave që gjenden në hambarët e tyre, ndërsa edhe target kanë arritur në oraret e parashikuara mëngjesin e sotëm.