Gjashtë anije tregtare po përpunohen sot në mesditë në tre Terminalet e mallrave në portin e Durrësit, ndërsa dy tragetet e linjës Bari – Durrës janë akostuar në Terminalin e Udhëtarëve në orët e para të mëngjesit, sipas grafikut të parashikuar.
Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual bën me dije se në Terminalin Perëndimor vijon përpunimi i anijeve “Frojdi II” dhe “NS Spirit”, me përkatësisht 1,448 ton hekur ndërtimi dhe 4,421 ton llamarina e profile çeliku. Në Terminalin e Kontejnerëve sapo ka mbërritur anija “Sunait X”, nga e cila do të shkarkohen mbi 240 kontejnerë.
Nga i njejti burim, mësohet se tre anije të tjera po përpunohen në Terminalin Lindor, një prej të cilave, “Grit Cement” po ngarkohet me 5,300 ton çimento për eksport.
Ndërkaq në kalatat 10 dhe 11 të këtij Terminali po shkarkohen 2,802 ton skrap dhe 23,480 ton qymyr përkatësisht nga anijet “NS Sprinter” dhe “Koral Island”. Kjo anije me gjatësi 190 metra dhe gjërësi 32 metra ka nisur të përpunohet dje në mesditë, dhe tashmë mbeten rreth 9,000 ton të tjera për tu shkarkuar.
Nga Qendra e Informacionit mësohet se në radën portuale ndodhet edhe anija “Osman Prince” me 9,131 ton skrap, ndërsa pritet anija “Eseniya” me 4,280 ton xhama.