Marina turistike e Durrësit është gati për të filluar procesin e ndërtimit. Më 30 janar është hedhur një tjetër hap i rëndësishëm për ecurinë e këtij projekti, ajo e nënshkrimit të marrëveshjes Joint-Venture, lidhur mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, “Eagle Hills SHPK”, “Albanian Seaports Development Company sh.a” dhe “Nishmi Lld”, që do të shërbejnë për zhvillmin dhe zbatimin e projektit të Marinës Turistike dhe Ballinës Ujore të Durrësit.
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë aktivitetit se “Durrës Marina” hyn në ekonominë shqiptare si lokomotive që do sjellë ndikim të jashtëzakonshëm në rritjen e shpejtësisë së zhvillimit ekonomik por edhe si konkurrent në një treg të ri, atë ndërkombëtar ku do të ofrojë jo vetëm shërbime të një cilësie të padiskutueshme por edhe punësim cilësor.
Sipas kreut të qeverisë profilet e punës do të jenë të mirëpaguara dhe për ata që duan realisht të punojnë është një formë e mirë që të shohin të ardhmen e tyre këtu dhe jo jashtë.
Ndërkohë, Zv.kryeministrja, njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se ky është projekti më i madh në ekonominë shqiptare me 2 miliardë euro investim, ndërsa Durrësi do të bëhet me dy porte
“Kemi përfunduar procedurat e gjata ligjore deri te miratimi i parlamentit të ligjit dhe më pas dekretimit nga Presidenti. Në këtë projekt për herë të parë shteti është bashkëaksioner në masën 33%. Shteti do të ketë të njëjtat të drejta sa i përket të ardhurave dhe fitimeve. Shteti ka përgjegjësi të ruajë asetet strategjike si kalatat, basenin dhe kanalin e portit. Këto mbeten pronë shtet, siç mbetet edhe 45% e hapësirës të portit aktual.”– tha Balluku.
Për investitorin Mohammed Alabbar procesi i negociatave ishte i vështirë, por u shpreh se rezultati do të jetë fantastik. Bashkë me kryeministrin Rama ai vuri theksin te vendet cilësore të punës që do mundësojë projekti
“Kam qenë në biznes për 30 vite, por nuk kam kaluar kurrë një proces të tillë. Mendoj që ky proces do të jetë një shembull fantastik për investimet e ngjashme në botë. Flasim shpesh për transaprencë, ekspertizë dhe analiza risku, por askush nuk ka kryer një ekzaminim të tillë ndaj meje siç ka bërë qeveria shqiptare. Dua të them gjithashtu se pas këtij projekti, që mund të them pa frikë është më i përparuari në botë, edhe se ato në Dubai, qëndron një ekip me të rinj shqiptarë, që nesër do eksportojnë dijet e tyre nëpër botë dhe më besoni ikja jashtë shteti do jetë e mërzitshme për ta.”– tha Alabbar.