Një delegacion me përfaqësues ekspertë nga sistemi portual i Shangait u prit pasditen e së martës nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Afrim Bakaj. Grupi i specialistëve kinezë që kryesohej nga prof. Ëang Zhan, Zv. President i Kongresit Popullor të Kinës dhe Drejtor Menaxhues i Akademisë së Shkencave Sociale të Shangait, u njoh me kapacitetet dhe funksionimin e portit më të madh të vendit tonë.
Drejtori Bakaj prezantoi rëndësinë strategjike të portit të Durrësit si një portë komunikimi mes Ballkanit dhe vendeve të Europës Perëndimore.
Drejtori Ekzekutiv i APD mirëpriti dëshirën e palës kineze për krijimin e marrëdhënieve dypalëshe mes porteve të Durrësit dhe Shangait, si dhe interesin për investime të mundshme në portin shqiptar.
Rritja e numrit të turistëve kinezë drejt vendit tonë; promovimi i produkteve bujqësore shqiptare dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe ishin tema të tjera që u trajtuan në Takimin mes drejtorit Afrim Bakaj me specialistët nga Shangai.