APD: Një specialist me përvojë, në drejtimin e Forcave të Sigurisë Portuale

-Drejtori Ekzekutiv, Artjan Qirici, prezanton drejtorin e FSPD,

Sokol Sula-

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Artjan Qirici, prezantoi tre ditë më parë drejtorin e ri të Forcave të Sigurisë Portuale, FSPD, Sokol Sula.

Duke vlerësuar karrierën e z. Sula si specialist dhe drejtues, drejtori Ekzekutiv, Qirici, tha se FSPD përbëjnë një forcë të rëndësishme për parametrat e sigurisë në portin e Durrësit.

“Afro 1 milion udhëtarë vendas dhe të huaj si dhe dhjetra mijë automjete hyjnë e dalin përgjatë një viti në portin më të madh të vendit-tha më tej z. Qirici, duke nënvizuar rëndësinë e forcave të FSPD.

Drejtori i ri i FSPD, Sokol Sula, falenderoi për vlerësimin, duke shtuar se veprimtaria e tij do të synojë në përmirsimin e parametrave të performancës dhe të sigurisë në të gjithë hapësirën portuale.

Z. Sokol Sula u u zgjodh në postin e drejtorit të FSPD, pas konkursit të organizuar në zbatim të legjislacionit për vendin e drejtuesit të FSPD.

Sokol Sula, drejtor i Forcave të Sigurisë Portuale Durrës

Z. Sokol Sula ka përfunduar studimet në Akademinë e Rendit në vitin 1998, dhe më pas ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikime me misionet ICITAP, PAMECA, etj.

Në periudhën 1993-2011 ai ka shërbyer me detyra të ndryshme në Forcat Speciale në Tiranë.

Më pas z. Sula kreu detyrën e drejtorit të Njësisë OSSHE Durrës (2014-2015), ndërsa në periudhën 2016-2017 atë të drejtorit të Ndërmarrjes së Pastrim – Gjelbërimit, Bashkia Durrës.

Z. Sokol Sula ka nisur punën si drejtor i FSPD më 1 shkurt 2018, pas konkursit që u organizua nga APD në zbatim të ligjit për FSPD.