Dy palombarët e portit, pjesë e Forcës së Sigurisë në APD, veç detyrave të përditshme për kontrollet nënujore brenda basenit portual, gjatë viteve në vazhdim janë angazhuar edhe në misione shpëtimi jashtë portit.
Palombarët e APD, Fatbardh Omeri dhe Eduart Plaku kanë punuar së bashku me specialistët e shërbimeve të tjera portuale për rikthimin e normalitetit pas incidenteve si mbytje barkash apo motopeshkatoresh në basen, apo për zhbllokimin e pompave zjarrfikëse.
Të instaluar edhe me pajisjet speciale në kalatën 0, dy profesionistët zhytës kryejnë kontrolle të rregullta të pjesës nënujore të kalatave, si dhe në rastet e vizitave të anijeve të veçanta në portin më të madh të vendit tonë. Gjatë këtij sezoni veror në bashkëpunim me drejtorinë e Shërbimeve Operacionale në APD ata punuan për ta kthyer për herë të parë kalatën 4 në vendin e akostimit të sigurtë të jahteve dhe skafeve turistike.
Në raste të tjera, me kërkesë të organeve kompetente, palombarët e APD janë angazhuar në operacionet për nxjerrjen nga uji të personave të mbytur në rezervuare dhe liqene në veri të rrethit të Durrësit, apo në Vaun e Dejës.