Në kalatat e portit të Durrësit vazhdon sot përpunimi i tre anijeve me mallra të ndryshme.
Nga të dhënat e Qendrës së Informacionit në Autoritetin Portual Durrës, mësohet se dy skuadra me punonjës të kompanive stivadore, si dhe katër elektrovinça po punojnë në Terminalin Perëndimor për shkarkimin e anijeve tregtare “Volgobalt 236” dhe “Yilmaz Kaptan”, me përkatësisht 3,025 ton grurë dhe 1,450 ton ure’.
Ndërkaq në Terminalin Lindor, nga anija “Lefkada” po shkarkohen 11,166 ton qymyr.
Sot paradite në kalatat 2, 4 dhe 6 ka përfunduar përpunimi i tre anijeve të tjera me kripë, melaminë dhe konteinerë – shtuan burimet e Qendrës së Informacionit, ndërsa 36 orët e ardhshme pritet të mbërrijnë në port dy anije me xhama e grurë, si dhe një tjetër që do të ngarkohet me çimento.