15 kroçera dhe velierë kanë prenotuar lundrimet e tyre drejt portit të Durrësit në sezonin turistik të vitit 2018.
Nga të dhënat e agjencisë “Intermed shiping”, që janë pasqyruar në faqen e internetit të APD, mësohet se lundrimet drejt Durrësit do të fillojnë më 9 maj dhe do të përfundojnë më 20 nëntor të këtij viti.
Anija turistike “La Belle de L’Adriatique”, e cila hapi sezonin e kroçerave edhe vitin e kaluar në qytetin bregdetar, do të ankorohet përsëri e para për këtë vit në Durrës.
Mësohet gjithashtu se velieri turistik “Sea Cloud”, e cila preferon lundrimet në Durrës prej më shumë se 10 vitesh gjatë këtij sezoni turistik do të ankorohet 7 herë në portin më të madh të vendit tonë.
Të gjitha kroçerat dhe anijet turistike si “Seven Seas Voyager”, “Berlin”, “Nautica” apo”Sirena” vijnë në Durrës për të disatin vit radhazi.
Megjithëse Durrësi është një port përpunimi mallrash, APD ka marrë të gjitha masat për ankorimin e kroçerave në kalatat qendrore 4 dhe 5, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hapësirën portuale gjatë qëndrimit prej 10-14 orë në Durrës.