APD/ Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano/ 30 janar 2023

Pas prezantimit të projektit inxhinerik të Portit të ri Tregtar në Porto-Romano, Durrës, më datë 1 shkurt 2023, ora 16.00, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, nën drejtimin e Zv.Kryeministres njëherazi Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku do të mbahet takimi informues me kompanitë ndërkombëtare të interesuara, përfaqësues të trupit diplomatik dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

Konsulentët ndërkombëtarë të Royal HaskoningDHV dhe Autoriteti Portual Durrës, nëpërmjet një njoftimi në prestigjozen “Financial Times”, ftuan kompanitë vendase dhe të huaja në fushën e zhvillimit të infrastrukturës portuale, për të marrë pjesë në takimin konsultativ për zhvillimin e portit të ri tregtar dhe infrastrukturës portuale në Porto-Romano.

Në përputhje me standardet ndërkombëtare të fushës, ky takim konsultativ, për të gjithë komponentët inxhinierik, financiarë dhe juridik të projektit, i hap më tej rrugën çeljes së garës ndërkombëtare për Financimin dhe Ndërtimin e Portit të ri. Palëve të interesuara do t’u jepet mundësia të ndjekin takimin dhe online përmes platformës Zoom.