Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar (dega Durrës) dhe Bankën Lëvizëse Kombëtare të Gjakut kanë organizuar sot ditën e parë të fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut.
Veprimtaria për dhurimin, ku marrin pjesë të gjithë punonjësit portualë po zhvillohet në mjediset e Shërbimit Shëndetësor në APD dhe do të vazhdojë edhe nesër, më 4 tetor 2019.
“Kush dhuron gjak, shpëton një jetë” është moto e kësaj nisme dhe e gjithë sasia e dhuruar do të shfrytëzohet në ndihmë të fëmijëve talasemikë, si dhe për pacientët e dëmtuar në aksidente rrugore.
Dhurimi i gjakut bëhet në kushte optimale higjenike, në prani të stafit mjekësor të kualifikuar. Autoriteti Portual Durrës i është bashkuar kësaj nisme prej shumë vitesh.
Fillimisht çdo dhurues i nënshtrohet matjes së tensionit arterial, temperaturës dhe nivelit të hemoglobinës për të përcaktuar gjëndjen shëndetsore para dhurimit.
Stafi mjeksor i APD është vazhdimisht i pranishëm, i gatshëm të përballojë ndihmën e parë dhe rastet e emergjencave mjeksore.