APD Statistikat janar-mars 2016: 114 anije tregtare, 56 përqind të shkëmbimeve me Turqinë, Kinën dhe Rusinë

Në 3-mujorin e parë të vitit 2016 shkëmbimi i mallrave nga porti i Durrësit ka vijuar kryesisht me Turqinë dhe Rusinë, ndërsa krahasuar me vitin e kaluar ka patur një rritje të ndjeshme të shkëmbimeve tregtare me Kinën.

Shkëmbimet me Turqinë vazhdojnë të zenë vendin e parë, njëlloj si në vitin 2015, dhe 23 përqind e vëllimit të mallrave të përpunuara në port i takojnë 22 porteve turke. 18 përqind e shkëmbimeve i takojnë porteve të Kinës, ndërsa pjesën tjetër prej 15 përqind e zenë portet e Rusisë. Gjatë këtij 3-mujori me Turqinë janë shkëmbyer mbi 57 mijë ton mallra, me Kinën më shumë se 45 mijë ton, ndërsa me Rusinë mbi 37 mijë ton.

10 vende të tjera ku përfshihen Italia, SHBA, Ukraina, Egjipti, Greqia, Franca, Rumania, Belgjika, Tunizia, etj. zenë rreth 44 përqind të shkëmbimeve tregtare nëpërmjet portit të Durrësit.

Gjatë këtij 3-mujori shkëmbimi i mallrave me anije nga porti i Durrësit ka arritur shifrën prej mbi 709 mijë ton dhe ka vijuar në 15 vende të ndryshme të globit, nga shtetet fqinje deri në SHBA.

Gjatë periudhës janar-mars 2016 në portin më të madh të vendit janë përpunuar 114 anije tregtare dhe 243 tragete gjithsej.