Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës –Ankona e kthim gjatë katër muajve të parë të këtij viti kanë transportuar më shumë mallra dhe më pak udhëtarë se sa në periudhën janar-prill 2017. Brenda katër muajve, tragetet janë shfrytëzuar nga më shumë se 158 mijë udhëtarë, me 30.873 autovetura gjithsej.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se periudhën janar-prill 2018 tragetet kanë transportuar afro 293 mijë ton mallra, të ngarkuar në kamjonë dhe trajlera.
Kjo është një sasi 12 përqind më e lartë se sa ajo e katër muajve të parë të vitit 2017, ndërsa për të njejtën periudhë importet dhe eksportet janë rritur përkatësisht me 10 dhe 16 përqind.
Tragetet kanë transportuar 22.985 kamjonë dhe 1.888 trajlerë në katër muaj, përkatësisht 6 dhe 5 përqind më shumë se sa në janar 2017.
Nga të njejtat burime mësohet se tragetet kanë kryer 299 lundrime vajtje-ardhje, ose 2 lundrime më shumë se një vit më parë.