APD/ Trajnim ndër-institucional mbi formimin e institucioneve, reformat, shqyrtimin dhe procedurat administrative/ 15 shtator 2022

Autoriteti Portual Durrës mirëpriti ditën e sotme në ambjentet e Sallës së Konferencave  “Hysni Aruçi” punonjës nga një sërë institucionesh të qytetit të Durrësit në një trajnim një ditor me fokus “Formimin e Institucioneve, Reformat, Shqyrtimin dhe Procedurat Administrative”. Ky trajnim vjen si një bashkëpunim i Qendrës së Ekselëncës për Çështjet Detare në APD me Asociacionit për Mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Republikës së Kosovës, Institutin Akademia Infinit Kosova dhe Akademinë Evropiane të Londrës si dhe me mbështetjen e Institucioneve në Shqipëri. Qellimi i këtij trajnimi është zgjerimi i njohurive mbi administratën publike dhe rritjen e aftësive juridike dhe proceduriale lidhur me Kodin e Procedurës Administrative dhe Procedurat e Përgjithshme të Administratës Publike.

Një pjesëmarrje e gjerë nga institucione të administratës publike në nivel lokal dhe qendror u bë pjesë e këtij trajnimi ku siç theksoi edhe znj.Floreta Kërtusha përfaqësuese e Bashkisë Durrës risia qëndron pikërisht tek gjithëpërfshirja ndër institucionale në këtë trajnim të nevojshëm për të gjithë zyrtarët publikë por edhe ata të sektorit privat.

Fjalën përshëndetëse e mbajti Z.Bashkim Islami, Drejtor i Institutit Akademia Infinit Kosova, i cili pasi falenderoi Autoritetin Portual Durrës për mbështetjen në organizimin e këtij trajnimi gjithashtu shprehu edhe falenderimin për të gjithë institucionet publike dhe private të cilët mundësuan pjesëmarrjen e punonjësve në këtë aktivitet.

Trajnimi ishte organizuar në dy module kryesore ku i parë kishte në fokus procedurat administrative, ndërtimin e institucioneve publike, transferimin e kompetencave të institucioneve, reforma dhe impaktin në proceset e punës si dhe prespektivën dhe risitë në administratën publike në pushtetin lokal dhe atë qendror. Ligjërimin e mbajti Prof.Dr. Agim Krasniqi, një prej figurave më të mirënjohura dhe me një ekspertizë shumëvjeçare në fushën  e administratës publike dhe krijimin e institucioneve publike në Republikën e Kosovës.

Moduli i dytë u udhëhoq nga z.Shkëlzen Murtezi, President dhe themelues i Asociacionit për Mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Republikës së Kosovës , i cili trajtoi procedurat mbi trajtimin e shqyrtimit të kërkesave, ankesave dhe akteve administrative në Shkallë të Parë dhe Shkallë të Dytë Administrative ku zyrtarët patën mundësi të njihen edhe me aspektin praktik të aplikimit të këtyre procedurave.

Ky trajnim do t’ju ofrohet edhe punonjësve të administratës publike por edhe atyre të cilët do të shfaqin interes nga sektori privat ditën e nesërme në sallën e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërkohë që pritet që të shtrihet edhe në qytetet kryesore të vendit në ditët në vazhdim. Në fund të trajnimit, pjesëmarrësit u pajisën edhe me Certifikatën e pjesëmarrjes.