APD/ Tranzitet me destinacion Kosovën, përpunohen rreth 146 mijë tonë mallra në 11 muaj/ 23 dhjetor 2020

Mbi 146 mijë tonë mallra të ndryshme, që janë përpunuar në portin më të madh të vendit gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, kanë patur si destinacion Kosovën.

Mallrat tranzit drejt Kosovës të përpunuar në Terminalin Perëndimor të portit të Durrësit, arrijnë shifrën 87,422 tonë dhe përfshijnë kryesisht llamarinë, xhama, hekur ndërtimi, çimento e gurë mermeri.

Ndërkaq, në Terminalin Lindor janë përpunuar 58,900 tonë mallra të tjerë, kryesisht qymyr dhe pajisje për gjeneratorë me erë.

Të gjithë mallrat, të cilët shkarkohen në portin e Durrësit, vijojnë më pas rrugëtimin të ngarkuar në kamionë, dhe nëpërmjet Autostradës së Kombit i drejtohen qyteteve të ndryshme të Kosovës.