APD/Turizmi i kroçierave gjithnjë e më tepër po bën Durrësin pjesë të guidave/ 15 nëntor 2022

Anijet turistike dhe jahte po përfshijnë gjithnjë e më shumë vendin tonë në agjendat e tyre, duke e kthyer në një prej distanacioneve të preferura. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, përgjatë periudhës janar-tetor 2022, 91 mjete lundruese turistike janë ndalur në Portin e Durrësit, duke sjellë me vete 4678 turistë të huaj.

Mëngjesin e kësaj të marte në Durrës për herë të parë u ndal një kroçierë me 346 turistë kryesisht gjermanë, duke përfshirë në këtë mënyrë  edhe vendin tonë në axhendën e saj turistike.

Kroçiera “Amadea” mban flamurin e Bahamasit dhe është një nga anijet më luksoze.  Anija ofron një ambient modern dhe elegant dhe ka shërbim dhe komoditet shumë të mirë të një niveli të lartë. Amadea ështe anija që lundron nëpër botë  në serialin dramë gjerman “Das Traumschiff”.

Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijes dhe sigurinë e turistëve në territorin portual, duke vënë kalatën nr.4 në funksion të tyre përgjatë gjithë sezonit.