APD: Vazhdon kthimi i bashkëatdhetarëve me tragete pas pushimeve

Vazhdon kthimi i bashkëatdhetarëve dhe turistëve të huaj me tragete nga porti i Durrësit drejt Barit dhe Ankonës (Itali). Megjithëse shifrat ditore janë më të ulta se sa në muajin gusht, mbi 24 mjë udhëtarë kanë shfrytëzuar tragetet në 6 ditët e para të këtij muaji nga/drejt Durrësit.

Që nga fillimi i muajit shtator nga porti i Durrësit janë nisur me tragete drejt porteve të Italisë 20.310 udhëtarë me 4.524 autovetura gjithsej-bëhet e ditur nga të dhënat operative në APD. Shumë prej tyre kanë përfunduar pushimet verore pranë familjeve në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni, dhe rikthehen në vendet e Evropës Perëndimore ku jetojnë dhe punojnë.

Pjesa tjetër, shumë më e vogël në numër se sa në nisje, 3.918 udhëtarë gjithsej, me 845 autovetura, kanë mbërritur në qytetin-port nga Italia me tragetet e linjave.

Tashmë tragetet shtesë kanë dalë nga linja dhe lundrimet janë kthyer në rrjedhën e tyre normale.