Porti i Durrësit vazhdon të jetë destinacion i jahteve dhe kroçerave me turistë nga vende të ndryshme të botës. Që nga fillimi i vitit në kalatat qendrore të portit më të madh të vendit janë akostuar 18 kroçera me 3,834 turistë nga më shumë se 50 vende, ndërsa numri i jahteve arrin në 427.
Në Qendrën e Informacionit të APD mësohet se të djelën mbërrin kroçera “Nautica”, e cila ka nisur një udhëtim turistik në disa porte të Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Kroçera me gjatësi 180 metra dhe port regjistrimi në Bahamas e ka vizituar Durrësin edhe disa herë të tjera. Ndërkaq sot në mëngjes në kalatën 5 është akostuar edhe jahti turistik “Golden Odyssey” me gjatësi 110 metra, i cili ka lundruar gjatë natës së kaluar nga Tivati (Mali i Zi) drejt Durrësit.