APD: Mbërrijnë me kroçerën “Nautica” 669 turistë nga 23 vende të botës, 10 nëntor 2019
669 turistë të huaj, kryesisht nga SHBA, mbërritën sot në mëngjes në portin e Durrësit me kroçerën “Nautica”. Gjatë ditës turistët do të vizitojnë qendrat muzeale, arkeologjike dhe historike në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe Krujës. Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, mësohet se kroçera ka lundruar gjatë natës së kaluar nga Dubrovniku drejt Durrësit. Turistët vijnë nga 23 vende të botës dhe 491 prej tyre janë amerikanë – thanë burimet, sipas të cilave nuk mungojnë edhe turistë nga Kanadaja, Australia, Japonia, Spanja, etj. Anija turistike po kryen një tur lundrimi në 9 porte të Adriatikut dhe Jonit, kryesisht në Itali, si dhe në tre porte të Greqisë, Kroacisë dhe Shqipërisë. Nga Qendra e Informacionit, mësohet gjithashtu se anija me gjatësi 180 metra dhe flamur të ishujve Marshall u akostua në kalatën 5 sot në orën 7.30 dhe se në mbrëmje do të lundrojë drejt Korfuzit. Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijes dhe sigurinë e turistëve në territorin portual.