Arsimi profesional në fokus, nxënës shqiptarë e të huaj vizitë njohëse në Portin e Durrësit/ 4 tetor 2023

Ditën e sotme në Portin e Durrësit u ndalën nxënësit të arsimit profesional nga Serbia dhe vendi ynë, për të njohur nga afër disa nga proceset e punës në Portin e Durrësit dhe projektet madhore të tij. 

Vizita e iniciuar nga drejtues të shkollës profesionale   ishteplanifikuar në kuadër të Projektit “Ryco Superschool”, i cili ka për qëllim promovimin e paqes dhe mirëkupitmin ndërkulturor,  dialogun midis shkollave, studentëve dhe komuniteteve të tyre nëpërmjet shkëmbimeve të shkollave të Ballkanit Perëndimor, bashkëthemeluar nga BE (Bashkimi Europian)  dhe BMZ (Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), si dhe zbatimin nga GIZ  (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) së bashku me Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO). 

Pas një prezantimi të përgjithshëm të Portit të Durrësit nga ana e Drejtorit të CEMA-s,  z. Endrit Pollo, ata u njohën me kapacitetet e përgjithshme, sigurinë portuale, përpunimin e mallrave dhe pasagjerëve, infrastrukturën portuale si dhe kishin kuriozitet për t’u informuar mbi Portin e Ri të Portit të Porto Romanos dhe Marinën Turistike të Durrësit. 

Pjesë e agjendës  së tyre ishte dhe një vizitë në Terminalin e trageteve dhe Terminalin e Mallrave Gjenerale për të marrë informacione mbi përpunimin, kapacitetet dhe  kalatat  e këtyre terminaleve.