Arti i modelimeve detare nga Luan Shabani / 09 nëntor 2020

Luan Shabani, njeriu që ka modeluar mbi 100 anije tregtare e ushtarake, dhe veliera të llojeve të ndryshme, ditët e fundit ka nxjerrë nga duart maketin e Bigës Lundruese “Adem Reka”.

“Mjeti lundrues-simbol në portin më të madh të vendit, që nga viti 1954 u bë mjaft i njohur për ngarkim-shkarkimin e makinerive dhe pajisjeve me volume të mëdha – tregon Luan Shabani, i cili që prej 33 vitesh punon çdo ditë për përgatitjen e modeleve të ndryshme.

7 muaj punë e pandërprerë me rreth 1,400 orë pune për 73-vjeçarin që e quan porosinë për Bigën Lundruese, si një detyrim historik për detarët që kanë shërbyer, por edhe për portin e Durrësit në përgjithësi.

Në studion në Tiranë ku janë përgatitur si modelistë i biri Neltoni si dhe nipat e mbesat, Luani përgatit gjithnjë punë të reja.

Modelet e anijeve të para që janë përgatitur nga skicat origjinale, i  përkasin periudhës kur mjeshtri punonte në Byronë Teknike të Portit, dhe kur për afro 10 vjet puna e lidhi me inxhinjerët projektues të Kantierit Detar.

“Unë jam diplomuar për navigacion në Akademinë e Marinës në vitin 1968 – kujton Luani, i cili ka lundruar më pas me anije të ndryshme të Flotës Tregtare duke nisur që nga anija “Lirija”, që u bë edhe modeli i parë për punimet e tij.

Luan Shabani është autor i katër ekspozitave personale, një prej tyre në Athinë, dhe po aq ekspozitave të përbashkëta me Shoqatat e Detarëve të Durrësit dhe Ulqinit.