Autoriteti Portual Durrës dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi 

11.12.2025 

Autoriteti Portual Durrës, përmes Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA), dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës nënshkruan sot një Marrëveshje të re Bashkëpunimi, e cila shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjes mes universitetit dhe sektorit portual–detar. 

Kjo marrëveshje synon të krijojë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi, në të cilën studentët, kërkuesit shkencorë dhe profesionistët e fushës të mund të shkëmbejnë përvojë, ekspertizë dhe inovacion për të mbështetur zhvillimin e portit më të madh të vendit dhe industrinë detare në tërësi. 

Objektivat kryesorë të marrëveshjes përfshijnë: 

  • · rritjen e mundësive për praktikë profesionale, stazhe dhe specializime për studentët e programeve të ndryshme të UAMD; 
  • · zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, studimore dhe profesionale në fushën e logjistikës, operacioneve portuale, sigurisë detare dhe inovacionit teknologjik; 
  • · harmonizimin dhe përmirësimin e kurrikulave akademike sipas standardeve të industrisë dhe nevojave të tregut të punës; 
  • · krijimin e mundësive konkrete për punësimin e të rinjve në sektorin strategjik portual–detar, duke mbështetur formimin e një brezi të ri profesionistësh të specializuar. 

Një urë mes dijes dhe industrisë 

Përmes këtij bashkëpunimi, të dy institucionet angazhohen të ndërtojnë një mjedis të përbashkët bashkëpunimi, ku arsimi i lartë dhe industria portuale ndërveprojnë për të sjellë njohuri të reja, praktika më efikase dhe zhvillim të qëndrueshëm. 

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përforcon misionin e përbashkët për të përgatitur specialistët dhe ekspertët e së ardhmes, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe inovacionit në Portin e Durrësit. 

Kjo marrëveshje përfaqëson një angazhim të përbashkët për rritjen e cilësisë akademike, fuqizimin e studentëve me aftësi profesionale bashkëkohore dhe forcimin e rolit të kërkimit shkencor në fushën portual–detare. Ajo synon të krijojë një model bashkëpunimi ku teoria dhe praktika ndërthuren, duke i ofruar të rinjve mundësi reale zhvillimi dhe specializimi. 

Partneriteti strategjik ndërmjet Autoritetit Portual Durrës dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” synon të sjellë: 

  • · programe trajnimi dhe ekselence të orientuara drejt nevojave të industrisë; 
  • · praktika profesionale dhe mundësi stazhi për studentët e profileve të ndryshme· projekte të përbashkëta kërkimore dhe zhvillimore në sektorin portual–detar; 
  • · shkëmbime ekspertize në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. 
  • Kjo nismë vjen në një moment të veçantë për UAMD-në, në kuadër të 20-vjetorit të themelimit, duke reflektuar vizionin e universitetit për të qenë gjithnjë e më i lidhur me tregun e punës dhe industrinë, si dhe për të kontribuar në formimin e profesionistëve që i nevojiten zhvillimit të vendit.