Autoriteti Portual Durrës, pjesë e Akademisë Ndërkombëtare Dimërore për Transportin dhe Tregtinë e Qendrueshme

                        27 shkurt 2025

U mbajt përgjatë datave 25-28 shkurt 2025, në Kishinau, Moldavi, Akademia Ndërkombëtare e Dimrit për Transportin dhe Tregtinë e Qëndrueshme, një konferencë, e cila fokusohet në Transportin Detar dhe atë Multimodal, duke bashkuar ekspertët kryesorë të industrisë dhe politikëbërësit për të diskutuar të ardhmen e transportit dhe tregtisë së qëndrueshme.

Një iniciativë e përbashkët me Sekretariatin e Përhershëm të Komunitetit të Transportit, ky event fokusohet në mënyrën se si inovacioni dixhital dhe iniciativat e gjelbra mund të riformësojnë rrugët tregtare midis BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit.

Në fokus të diskutimeve ishin angazhimi i përbashkët me qëllim dekarbonizimin e porteve, dixhitalizimin detar dhe transportin multimodal, si dhe realizimi i tyre nëpërmjet kontributit të bashkërenduar midis porteve rajonale, operatorëve të mallrave dhe ekspertëve të logjistikës në të gjithë Evropën.

Autoriteti Portual Durrës në këtë event u përfaqësua nga Z. Vegim Hoti, Drejtues i Njesisë së Inovacionit, i cili relatoi mbi projektet zhvillimore në kompleksin portual Durrës-Porto Romano si dhe angazhimin dhe përpjektet e vazhdueshme të APD-së në raport me dixhitalizimit e operacioneve portuale, përmirësimin dhe përafrimin e kornizave politike me ato të BE dhe risitë teknologjike që nxisin transformimin dixhital të sektorëve të tregtisë dhe transportit detar.

Në fjalën e tij përshëndetëse për pjesëmarrësit, Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, z. Matej Zakonjšek, tha se transporti detar dhe multimodal merr kuptim vetëm nëpërmjet realizimit të suskseshëm të ndërlidhjes brenda Rrjetit të Transportit Trans-Evropian. “Hekurudhat, portet dhe terminalet moderne multimodale janë shtylla kurrizore e këtij vizioni. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot, për të diskutuar dhe krijuar një rrjet vërtetë të integruar,” theksoi ai.

Të tre panelet e diskutimit kishin në fokus dekarbonizimin detar dhe hartimin e strategjive për reduktimin e emetimeve drejt porteve të qëndrueshme dhe dixhitalizimin e proceseve në qendër të tregtisë detare. Çështje thelbësore në kuadër të diskutimeve ishin edhe gjenerimi i zgjidhjeve inteligjente që thjeshtojnë operacionet portuale dhe lëvizjen e mallrave duke përmirësuar transportin multimodal dhe format e integrimit të transportit rrugor, hekurudhor dhe detar për flukse tregtare më efikase.

Duke nxitur dialogun dhe shkëmbimin e ekspertizës, Komuniteti i Transportit synon të çojë përpara politika që e transformojnë tregtinë dhe transportin duke i bërë ato më të qendrueshëm, më të gjelbëra dhe më të integruara në të gjithë rajonin e Ballkanit, në përputhje me standardet e BE-së dhe pjesë të Rrjetit Trans-Europian të Transportit.

Përgjatë katër ditëve të kësaj konference u trajtuan një sërë prezantimesh dinamike, panele diskutimesh, seminare dhe tryeza të rrumbullakta dedikuar përparimit në dixhitalizimin dhe iniciativat e gjelbra brenda operacioneve portuale dhe doganore si dhe proceseve inovatore brenda shoqërive të transportit të mallrave dhe zhvillimet në sektorin detar.

Akademia Ndërkombëtare e Dimrit organizohet nga projekti “Forcimi i rrugëve të qëndrueshme dhe dixhitale të tregtisë dhe koncepteve të logjistikës ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe BE-së” (EasTnT). Projekti EastTnT (“Partneriteti Lindor për Tregtinë dhe Transportin”) financohet nga Ministria Federale Gjermane për Zhvillimin e Bashkëpunimit Ekonomik (BMZ) dhe zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.