23.02.2026
Autoriteti Portual Durrës mori pjesë në Forumin e Biznesit Japoni-Shqipëri, i cili u zhvillua më 20 shkurt 2026 në Tokio, pranë Japan Bank for International Cooperation, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të biznesit nga të dy vendet.
Në këtë forum, Autoriteti Portual Durrës u përfaqësua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Liburn Aliu, i cili prezantoi zhvillimet aktuale dhe perspektivën e kompleksit portual Durrës-Porto Romano, si një nga nyjet më të rëndësishme logjistike dhe ekonomike në rajon.
Forumi u organizua nga Japan Institute for Overseas Investment (JOI), në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), dhe shërbeu si një platformë për prezantimin e potencialit të Shqipërisë për investime, me fokus të veçantë në sektorët e infrastrukturës, energjisë dhe logjistikës.
Gjatë forumit, përfaqësuesit shqiptarë prezantuan reformat dhe projektet strategjike në zhvillim, ndërsa pala japoneze shprehu interes për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe eksplorimin e mundësive konkrete të investimit në Shqipëri.
Në vijim të forumit, u zhvilluan edhe takime dypalëshe(B2B), të cilat synojnë forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe krijimin e partneriteteve të reja, duke përfshirë edhe sektorin portual, si një komponent kyç në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe integrimin rajonal.
Pjesëmarrja e Autoritetit Portual Durrës në këtë forum konfirmon rolin e tij si një aktor strategjik në promovimin e Shqipërisë si një destinacion i besueshëm për investime dhe si një portë e rëndësishme lidhëse mes rajonit dhe tregjeve ndërkombëtare.


