Për të 13 vit rradhazi, organizata MEDPorts ka zhvilluar gjatë datave 3-5 mars 2024, sesionin e rradhës të Konferencës Ndërkombëtare mbi Logjistikën Detare “Marlog 13”, e cila këtë vit u mbajt në Aleksandri, Egjipt.
“MARLOG” është një konferencë e përvitshme, iniciativë e organizatës që bën bashkë portet e Mesdheut, e cila këtë vit kishte në fokus “Perspektivën mbi qendrueshmërinë dhe elasticitetin infrastrukturor të porteve dhe logjistikës”. Si një anëtar me të drejta të plota në organizatën MEDPorts, prej vitit 2021, Porti i Durrësit u përfaqësua në këtë konferencë nga Drejtori i Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare (CEMA), z.Endrit Pollo.
Si çdo vit, kjo konferencë bëri bashkë ekspertë dhe profesionistë të infrastrukturës portuale, logjistikës dhe teknologjisë në sektorin detar, të cilët ndanë ekspertizën dhe praktikat më të mira të porteve përfaqësuese, mbi çështje thelbësore në perspektivën e qendrueshmërisë dhe zhvillimit infrastrukturor dhe logjistik portual në rajonin e Mesdheut.
Roli i teknologjisë në porte dhe qendrueshmëria logjistike, rëndësia e partneritetit publik-privat në inciativat afatgjata dhe të qendrueshme, nevojat për kualifikime dhe trajnime në raport me qendrueshmërinë portuale si dhe roli dhe rëndësia që mbart thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar drejt porteve të gjelbra dhe të qendrueshme ishin disa prej temave të trajtuara në sesionin e këtij viti të kësaj konference.