26.3.2026
Autoriteti Portual Durrës mori pjesë në edicionin e dytë të platformës së biznesit MatchMaker Albania, një aktivitet i rëndësishëm që synon nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet investitorëve, kompanive dhe institucioneve vendase dhe ndërkombëtare.
Aktiviteti u zhvillua në praninë e Kryeministrit z.Edi Rama si dhe të përfaqësuesve të dikastereve kryesore shtetërore, duke dëshmuar rëndësinë që i kushtohet tërheqjes së investimeve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
I organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve(AIDA), eventi mblodhi mbi 1000 pjesëmarrës dhe mundësoi zhvillimin e më shumë se 400 takimeve të planifikuara B2B, duke krijuar mundësi konkrete për partneritete dhe bashkëpunime të reja.
Në këtë kuadër, kreu i Autoritetit Portual Durrës zhvilloi takime me përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve pjesëmarrëse, me fokus prezantimin e potencialit strategjik të portit më të madh në vend dhe rolit të tij në zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe rajonale.
Pjesëmarrja në MatchMaker Albania konfirmon angazhimin e Autoritetit Portual Durrës për të forcuar bashkëpunimin me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe për të promovuar mundësitë që ofron porti në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së konkurrueshmërisë.





