17 dhjetor 2024
Shëndeti dhe siguria në punë janë një ndër faktorët kyç të funksionimit të sektorit portual si një instrument thelbësor mbështetës i veprimtarisë së përditshme. Garantimi i standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë gjatë operacioneve të përdoruesve portuale dhe personelit të institucionit ishin fokusi i mbledhjes së rradhës së Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë të Autoritetit Portual.
Takimi i rradhës bëri bashkë jo vetëm anëtarët e këtij këshilli dhe përgjegjësit për sigurinë dhe shëndetin sipas zona respektive, në të cilat ata ushtrojnë operacionalitetin por gjithashtu edhe përfaqësues të subjekteve që operojnë në portin më të madh në vend.
Në këtë kuadër, nën drejtimin e Njësisë së Cilësisë dhe Standardeve janë diskutuar gjatë takimit të djeshëm të zhvilluar në ambjentet e Sallës së Konferencave “Hysni Aruçi”, çështje parësore lidhur me:
• Organizimin dhe monitorimin e veprimtarisë së sigurisë dhe shëndetit në punë
• Kryerjen e vlerësimit të rreziqeve për sigurinë dhe shëndetin në punë, me fokus operacione specifike që ekspozojnë punonjësit ndaj rrisqeve të caktuara
• Raportimet periodike mbi problematikat dhe zhvillimet në këtë fushë
• Kontrollin dhe inspektimin periodik për gjendjen e masave mbrojtëse në punë dhe zbatimin e rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë nga të gjithë personat, punonjës të institucionit apo kontraktorë dhe nënkontraktorë që veprojnë në territorin portual
• Vijimësinë e trajnimeve dhe kualifikimit për punonjësit mbi masat dhe standardet e shëndetit dhe sigurisë përgjatë proceseve të punës në një mjedis sfidues si sektori detar.