Një jetë në botën nënujore, mes profesionit dhe pasionit, është ajo e Palombarit të Portit të Durrësit, Bardh Omerit, i cili po përgatitet të dalë në pension, por pasioni për botën e nënujit do ta ndjekë gjithmonë.
Ai rrëfen se rrugëtimin e tij profesional si palombar e nisi rreth 14 vite më parë, por zhytjet në ujë, fillimisht si amator e më pas si një profesionist, i ka nisur që në fëmijëri. Omeri është palombari i parë profesionist i Portit të Durrësit dhe në mbyllje të këtij rrugëtimi profesional, ai i fton të rinjtë me një shprehje të Konfucit: “Gjej një punë që e dashuron dhe nuk do të të duhet të punosh asnjë ditë të jetës tënde”.
“E ndjen veten ndryshe kur je nën ujë, gjithmonë në kërkim të pamjeve të reja. E kam filluar me gjuetinë e peshkut dhe jam zhytur në det, në të gjithë bregun jugor të Adriatikut, si dhe në rezervuaret e liqenet e zonës së Durrësit”, – shprehet 65-vjeçari, duke i ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e këtij sporti të bukur.
Së bashku me kolegun e tij, Edin, ata zhyten sipas programit për të kontrolluar të gjithë Terminalet nën kalata apo anije, duke u bërë pjesë edhe e misioneve të shumta të kërkim-shpëtimit në rezervuare, det apo liqene.
Mes shumë episodesh pozitive, Bardhi kujton dhe një rast fatkeq që i është dashur të zhytet në thellësinë 39 metra, në Vaun e Dejës, për të nxjerrë prej aty trupin e pajetë të një burri të aksidentuar me mjetin e tij.
“Tashmë në të gjithë vendin punojnë rreth 20 palombarë profesionistë, si në forcat RENEA apo në Forcën Detare dhe pasioni po sjell mjaft të rinj pranë zhytjes” – shprehet Bardh Omeri.
“Kur je nën ujë njihesh me një botë tjetër dhe të pafund”, e mbyll fjalën e tij, Bardh Omeri, i cili me punën e tij të palodhur ka dhënë një kontribut të vyer, që rrugëtimi i nisur prej tij, të respektohet nga të gjithë.