Çelet sezoni turistik në Durrës,ankorohet kroçiera e parë

11 prill 2025

Data 11 prill, shënon edhe çeljen zyrtare të sezonit turistik me kroçiera për vitin 2025. “MS Hamburg”, kroçiera, e cila mban në bord 271 turistë të nacionaliteteve të ndryshme është dallëndyshja e parë, që ngre siparin e këtij sezoni turistik në Portin e Durrësit.

Turizmi me kroçiera ka njohur një rritje progresive nga viti nëvit në kryeqendrën portuale të vendit, ku vijon të rritet numri i anijeve turistike, të cilat e kanë bërë tashmë Durrësin pjesë të pandarë të itinerareve të tyre të përzgjedhura në Adriatik dhe Mesdhe. Muaji prill është mikpritësi i vizitorëve të parë me kroçiera, ndërkohë që për këtë sezon janë planizuar për ankorimnë Durrës 13 kroçiera, të cilat do të vijojnë të ndalen në qytetin turistik edhe përgjatë muajve të vjeshtës.

Me rritjen e numrit të turistëve, risi janë edhe kroçierat, të cilat prekin për herë të parë kalatat portuale të Durrësit, një prej tyre është edhe kroçiera “National Geographic Orion”, e cila mbërrinpër herë të parë në Durrës në muajin qershor, për tu rikthyer sërish duke kryer edhe 5 vizita të tjera në Portin e Durrësit brenda këtij sezoni.

Turizmi i kroçierave është një tregues, që industria e turizmit në Shqipëri pa u ndalur, ka kaluar tashmë në një stad të ri e më tëlartë zhvillimi, duke u kthyer në një kontribues me gravitet në ekonominë e vendit.