CEMA/ 5 vite nga themelimi i Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare 

28 maj 2026 

Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA), ka shënuar këtë vit 5-vjetorin e themelimit të saj, një etapë e rëndësishme në rrugëtimin institucional drejt zhvillimit të kapaciteteve profesionale dhe promovimit të standardeve bashkëkohore në sektorin detar dhe portual në Shqipëri.

E krijuar me synimin për të kontribuar në formimin profesional, specializimin dhe ndërthurjen e akademisë me praktikën në industrinë detare, Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare ka ndërtuar gjatë këtyre pesë viteve një profil të konsoliduar si platformë bashkëpunimi ndërinstitucionale dhe qendër referimi për trajnime, edukim profesional dhe aktivitete akademike në fushën detare në portin më të madh në vend.

Përgjatë kësaj periudhe, CEMA ka ofruar 25 programe masteri dhe një gamë të gjerë programesh trajnuese të orientuara drejt nevojave konkrete të sektorit portual dhe detar në vend dhe rajon. Në kuadër të programeve të certifikimit profesional, janë licensuar 86 vinçierë portualë, ndërsa 30 persona kanë përfunduar me sukses programet e certifikimit APEC. Gjithashtu, 60 punonjës janë trajnuar në gjuhën angleze profesionale, duke përforcuar aftësitë komunikative dhe standardet e punës në një sektor me ndërveprim të vazhdueshëm ndërkombëtar.

Një ndër prioritetet kryesore të kësaj qëndre ka qenë krijimi i mundësive konkrete për përfshirjen e të rinjve dhe profesionistëve në praktikën portuale dhe industrinë detare. Në këtë këndvështrim janë realizuar 202 internship-e, praktika profesionale dhe vizita njohëse në porte, duke krijuar ura të rëndësishme komunikimi mes kualifikimeve profesionale dhe tregut të punës. Po ashtu, përmes programittë specializimit janë zhvilluar 20 praktika me pagesë, të cilat kanë shërbyer si një mundësi reale për zhvillim profesional dhe integrim në sektor.

Në funksion të shkëmbimit të eksperiencave, promovimit të dialogut profesional dhe forcimit të bashkëpunimit institucional, Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare ka organizuar 48 evente, konferenca, mbledhje dhe aktivitete profesionale me pjesëmarrjen e ekspertëve, akademikëve dhe përfaqësuesve të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe janë formalizuar gjithashtu 5 partneritete dhe marrëveshje bashkëpunimi me institucione dhe organizata partnere, me fokus zhvillimin profesional dhe shkëmbimin e ekspertizës më të mirë në fushën e detarisë.

Në total, gjatë këtyre pesë viteve të aktivitetit të saj, Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare ka trajnuar 624 persona, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe forcimin e profesionalizmit në industrinë detare dhe portuale.

Ky 5-vjetor i themelimit përfaqëson jo vetëm një moment reflektimi mbi arritjet e deritanishme, por edhe një angazhim për të vijuar më tej me programe inovative, bashkëpunime të reja dhe iniciativa që mbështesin modernizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit detar në Shqipëri.