23 qershor 2026
Ka përfunduar me sukses faza teorike e kursit për mekanizator stivues (Reach Stacker), një program kualifikimi profesional i organizuar nga Qendra e Ekselencës për Çështje Detare(CEMA), në kuadër të angazhimit për zhvillimin e kapaciteteve profesionale në sektorin portual dhe logjistik.
Kursi, i cili nisi më 11 maj 2026, u ndoq nga 60 kursantë, të cilët gjatë javëve të trajnimit përvetësuan njohuritë teorike të nevojshme për operimin e sigurt, efikas dhe në përputhje me standardet teknike të pajisjeve të specializuara të stivimit.
Përmbyllja e kësaj faze u shoqërua me zhvillimin e provimit teorik, ku pjesëmarrësit demonstruan njohuritë e fituara gjatë procesit mësimor, duke përmbushur me sukses kërkesat e kurrikulës.
Faza e ardhshme e trajnimit do të nisë më 1 korrik 2026 dhe do të fokusohet në komponentin praktik. Gjatë kësaj periudhe, kursantët do të zhvillojnë aftësitë operacionale në terren, duke u njohur drejtpërdrejt me procedurat dhe teknikat e përdorimit të pajisjeve Reach Stacker në mjedise reale pune.
Ky program përfaqëson një hap të rëndësishëm në përgatitjen e specialistëve të kualifikuar për industrinë portuale, duke kontribuar në rritjen e standardeve profesionale dhe në forcimin e burimeve njerëzore të sektorit detar dhe logjistik nëShqipëri.

