Ceremonia e veçantë për kroçerën “Amera”, e cila dje për herë të parë preku tokën shqiptare

Kapiteneria dhe Autoriteti Portual Durrës organizuan pasditen e së martës një ceremoni të veçantë   për anijen turistike “Amera”, që në gjuhën gjuhën teknike njihet si   “maiden call”. Të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv   i Autoritetit Portual Durrës, z.Pirro Vengu, Kapiteni i Portit të Durrësit, z.Tauland Allka, si dhe përfaqësues të agjencisë detare. Kapitenit të krocerës iu dhurua një pllakë simbolike   nga kapiteni i portit, Tauland Allka, e cila do të përkujtojë datën   5 nëntor 2019, si ditën   kur anija turistike preku për herë të parë tokën shqiptare.

Kreu i APD-së, z. Vengu, gjatë bashkëbisedimit me kapitenin e kroçerës, z. Jens Thorn,   theksoi se në fokus të   të punës në të ardhmen janë realizime të   investimeve   të rëndësishme në infrastrukturën, për të bërë portin e Durrësit një destinacion sa më atraktiv për kroçerat, skafet apo velierat, si dhe për ta kthyer atë në një nga portet më të rëndësishme dhe më konkurruese në rajon përsa i përket transportit të mallrave.

Më pas, delegacioni i portit të Durrësit zhvilloi një tur të shkurtër nëpër krocerën “Amera”, duke parë nga afër ambientet e brendshme të saj, baret, restorantet dhe hapësirat dedikuar argëtimit të turistëve në bord, etj.

Krocera “Amera” e regjistruar në ishujt Bahamas dhe në pronësi të kompanisë Phoenix Reisen GmbH është ndërtuar në vitin 1988. Anija turistike me gjatësi 204 metra lundroi gjatë natës së kaluar nga ishulli Santorini (Greqi), ndërkohë që pasditen e djeshme u largua nga porti i Durrësit për të vijuar itinerarin e saj drejt Splitit (Kroaci).