Mjetet zjarrfikës dhe personeli i specializuar i APD sot paradite kanë punuar përkrah specialistëve të bashkisë së qytetit për të dezinfektuar mjediset e godinave të drejtësisë në Durrës.
“Godinat e gjykatës dhe prokurorisë së rrethit, ku të hënën do të rifillojë veprimtaria normale e organeve të drejtësisë i janë nënshtruar procesit të dezinfektimit, ku bashkë me mjetet e bashkisë kontribuan edhe mjetet dhe forcat tona të specializuara – u bë e ditur nga Drejtoria e Mjedisit në APD.
Nga i njejti burim, mësohet se ndërkaq të gjitha ndërtesat dhe mjediset që ndodhen brenda territorit portual po i nënshtrohen rregullisht këtij procesi.
Të gjitha godinat e administratës së APD, si dhe ndërtesat e Kapitenerisë, Doganës, Terminaleve dhe të të agjencive detare e spedicionere që nga fillimi i muajit mars janë dezinfektuar herë pas here – bëhet e ditur nga APD.
Të gjithë punonjësit portualë në krye të detyrës, janë pajisur me maska dhe doreza.
Në kuadër të masave që ka marrë Autoriteti Portual Durrës për parandalimin e koronavirusit, i janë nënshtruar këto ditë procesit të dezinfektimit edhe elektrovinçat dhe automjetet portuale.