29 janar 2026
Delegacione nga Republika e Moldavisë dhe Ukraina u ndalën në Portin e Durrësit në kuadër të një vizite studimore mbi zhvillimin e infrastrukturës dhe operacioneve portuale, duke e kthyer Autoritetin Portual Durrës në pikën qendrore të diskutimeve mbi modernizimin e sektorit detar dhe integrimin në standardet evropiane.
Dita e tretë dhe përmbyllëse e aktivitetit u zhvillua në sallën e konferencave “Hysni Aruçi” në Autoritetin Portual Durrës, nën moderimin e z. Dimo Dimov, përfaqësues i Departamentit të Transportit Ujor dhe Lëvizshmërisë së Gjelbër pranë Sekretariatit të Përhershëm të Transportit.
Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të z. Liburn Aliu, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, i cili theksoi rëndësinë strategjike të Portit të Durrësit në korridoret rajonale dhe evropiane të transportit detar, si dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rajonal për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
Gjatë sesioneve teknike u prezantua gjendja aktuale e infrastrukturës dhe operacioneve të portit, së bashku me planet e zhvillimit dhe modernizimit, përfshirë projektin strategjik të portit të ri multimodal në Porto Romano. Diskutimet u përqendruan gjithashtu në rolin e Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare (CEMA), forcimin e bashkëpunimit institucional dhe zbatimin e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë portuale.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua digjitalizimit të proceseve portuale si një shtyllë kyçe për rritjen e efiçiencës operacionale dhe transparencës, si dhe prezantimit të rolit dhe funksioneve të Regjistrit Detar.
Në përfundim të aktivitetit, delegacionet zhvilluan një vizitë në Terminalin e Trageteve të Portit të Durrësit, ku u njohën nga afër me organizimin e operacioneve të pasagjerëve dhe automjeteve, flukset sezonale, si dhe masat e sigurisë dhe standardet e shërbimeve të aplikuara.
Vizita studimore u zhvillua gjatë datave 27–29 janar 2026 në Tiranë dhe Durrës dhe u organizua nga Sekretariati i Përhershëm i Transportit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Moldavia dhe Ukraina në cilësinë e vendeve vëzhguese. Qëllimi i saj ishte shkëmbimi i praktikave më të mira me autoritetet shqiptare në fushën e qeverisjes dhe menaxhimit të transportit detar, përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe zbatimi i projekteve të Rrjetit të Transportit Trans-Europian.
Programi përfshiu sesione institucionale dhe teknike, takime në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Sekretariatin e Përhershëm të Transportit, Drejtorinë e Përgjithshme Detare dhe Regjistrin Detar, si dhe vizita në terren në projektet zhvillimore të Marinës së Jahteve në Durrës dhe portit të ri tregtar në Porto Romano.
Vizita shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbim përvoje, mësim të ndërsjellë dhe forcim të bashkëpunimit rajonal, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe harmonizimin me standardet evropiane në sektorin e transportit detar.







