Delegacioni ekonomik gjerman, vizitë dyorëshe në port -Sekretari Parlamentar i Shtetit, z. Ernst Burgbacher, në krye të Delegacionit- 3 tetor 2013

Një delegacion gjerman i Ministrisë së Ekonomisë dhe Teknologjisë, i drejtuar nga Sekretari Parlamentar i Shtetit, Z. Ernst Burgbacher vizitoi sot paradite portin e Durrësit.
Delegacioni shoqërohej nga një përfaqësi prej 15 anëtarësh të Shoqatës ekonomike Gjermani – Shqipëri, si dhe nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, z. Hellmut Hoffmann.
Delegacioni u prit nga drejtori i përgjithshëm i Autoritetit portual, Eduard Ndreu, i cili prezantoi përmbledhtazi kapacitetet e portit më të madh të vendit, si dhe modernizimin e tij në vite. Z. Ndreu theksoi se konsulenca gjermane është e pranishme në port që nga viti 1998 dhe se Ligji për Autoritetin portual në vitin 2003 është hartuar me kujdesin e studios gjermane “Hamburg Consulting”.

Më pas drejtori i APD foli për procesin e dhënies me konçesion të Terminaleve portuale, si pjesë e strategjisë së përcaktuar nga ligji për APD.
Sekretari Parlamentar I Shtetit, Ernst Burgbacher, falenderoi për mikpritjen dhe u shpreh i kënaqur me zhvillimet portuale, si dhe me nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në këtë fushë. Ai tha se prania e grupit që ai drejton në Durrës është tregues I interesimit të veçantë të biznesit gjerman për shkëmbime ekonomike në të ardhmen. Z. Burgbacher i ftoi drejtuesit e portit për vizitë në disa nga portet e Gjermanisë, si një mundësi bashkëpunimi më shumë mes palëve.
Delegacioni gjerman nën drejtimin e z. Ndreu zhvilloi më pas një vizitë dyorëshe në terminalet kryesore të portit të Durrësit, ku u njoh më nga afër me investimet dhe ndryshimet pozitive në hapësirën portuale.