Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Kreshnik Bajraktari, priti një delagacion të NATO-S, kryesuar nga Gjeneral Brigade Efsathios Kokkinidis, Komandant i Grupit të Mbështetjes së Përbashkët Logjistike të Forcës së Reagimit te Përbashkët (COM Joint Logistic Support Group-Allied Reaction Force), me një grup ekspertësh të drejtuar nga Kolonel Beniamino Carta.
Fillimisht, kreu I APD- e njohu delegacionin me zhvillimet e rëndësishme që po implementohen në Kompleksin Portual Durrës-Porto Romano, ndërsa bëri një pasqyrë dhe të kapaciteteve aktuale operacionale.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte vlerësimi i standardeve të sigurisë portuale dhe përputhshmëria me kërkesat ndërkombëtare. Gjatë vizitës, ekspertët e huaj u njohën nga afër me protokollet e sigurisë, infrastrukturën, dhe procedurat operative të Portit të Durrësit, me synimin për të forcuar bashkëpunimin në garantimin e sigurisë detare dhe përmirësimin e masave të sigurisë në porte të tjera strategjike.
Në mbyllje të takimit, delegacioni shprehu mirënjohjen dhe vlerësoi asistencën dhe kontributin e ofruar nga Porti i Durrësit, gjatë proceseve të dislokimit të mjeteve dhe trupave ushtarake, si dhe vlerësoi mirëadministrimin e territorit portual dhe infrastrukturën e sigurisë portuale si një ndër asetet e rëndësisë së veçantë kombëtare.