Një delegacion drejtuesish dhe specialistësh nga porti i Rijekës (Kroaci) vizitoi pasditen e së martës portin e Durrësit. Gjatë Takimit të organizuar në mjediset e drejtorisë së APD-së, zv. Drejtori Ekzekutiv, Artjan Qirici bëri një pasqyrë të shkurtër të bashkëpunimeve më të hershme me kompanitë kroate të realizimit të porteve, ndërsa vlerësoi nevojën e rikrijimit të lidhjeve detare të Durrësit me portet e Kroacisë.
Të pranishmit ndoqën prezantimin mbi situatën aktuale të portit të Durrësit në 4 Terminalet e tij, nga të cilët tre funksionojnë me kontrata konçesionare. Sanja Bujas-Juraga, ambasadore e Kroacisë në vendin tonë, në fjalën e saj i kushtoi rëndësi vendosjes së urave të bashkëpunimit mes qeverisë kroate dhe portit më të madh të Shqipërisë. Në të njejtën linjë, edhe parlamentarja kroate, Ermina Lekaj , e cila nënvizoi mundësitë e bashkëpunimit si në transportin e mallrave, edhe në atë të udhëtarëve.
Në pjesën e dytë të Takimit, drejtuesit e portit kroat, thanë se që nga viti 1996 porti i Rijekës, më i madhi në Kroaci, funksionon si Autoritet portual. Ai ka 5 terminale që menaxhohen përmes kontratave konçesionare deri 40-vjeçare, të cilat sjellin edhe të ardhurat bazë për portin. Bashkë me to funksionojnë edhe 80 kontrata shërbimi 1-vjeçare.
Pala kroate propozoi nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi mes të dy porteve, i cili do të krijojë hapësira për realizimin e projekteve të përbashkëta. Më pas u diskutua mbi mundësinë e vendosjes së linjës detare të anijeve Ro-Ro për transportin e kamjonëve, bashkëpunimin me pushtetin vendor, etj.
Gjatë qëndrimit në Durrës, delegacioni i portit të Rijekës do të zhvillojë takime në Bashkinë e Durrësit si dhe në Dhomën e Tregëtisë së qarkut.