19 gusht 2025
Autoriteti Portual Durrës priti ditën e djeshme në një takim një delegacion të lartë të Forcave të Armatosura të Belgjikës, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe rritjes së rolit të Portit të Durrësit si një nyje strategjike për operacionet logjistike dhe ushtarake në rajon.
Delegacioni belg u prit nga Drejtori i Sigurisë së Portit, z. Alfred Velaj, me të cilin zhvilloi një takim pune ku në qendër të diskutimeve ishin shkëmbimi i eksperiencave mbi menaxhimin e sigurisë portuale dhe operacionet logjistike, përdorimi i Portit të Durrësit si një nyje logjistike e besueshme për partnerët aleatë, lehtësimi dhe mbështetja e operacioneve të përbashkëta ushtarake në kuadër të angazhimeve euroatlantike si dhe koordinimi ndërmjet forcave vendase dhe atyre partnere për rritjen e sigurisë rajonale.
Në këtë vizitë morën pjesë gjithashtu përfaqësues të Forcave të Armatosura, Forcës Detare dhe Policisë Ushtarake. Prania e tyre nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe harmonizimit të procedurave mes vendeve partnere, duke krijuar një bazë më të fortë për ndërveprim dhe operacione të përbashkëta.
Ky takim u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, duke reflektuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Belgjikës.
Si vende aleate në NATO dhe partnerë të besueshëm në fushën e sigurisë, të dyja palët ritheksuan rëndësinë e Portit të Durrësit si një pikë kyçe në hartën logjistike të Mesdheut dhe Ballkanit.
Përmes këtij takimi u theksua jo vetëm angazhimi i përbashkët për rritjen e sigurisë dhe bashkëpunimit ushtarak, por edhe vizioni për të fuqizuar rolin e portit në mbështetje të operacioneve ndërkombëtare, duke kontribuar njëkohësisht në stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
Vizita e delegacionit ushtarak belg është një dëshmi e qartë e partneritetit të ngushtë mes vendeve tona dhe një hap i mëtejshëm në rrugën e forcimit të sigurisë së përbashkët dhe bashkëpunimit strategjik.
