Deputetet e Asamblesë Franceze, Ambasadorja e Francës në vendin tonë dhe AAIP, sjellin në port përvojën e menaxhimit të krizave 11.02.2020

Menaxhimi i krizave nëpërmjet ekspertizës më të mirë franceze si dhe forcimit të  bashkëpunimit nëpërmjet trajnimeve e çertifikimeve për personelin e emergjencave civile,  ishte në fokus të takimit të zhvilluar mes  Grupit të Miqësisë franko-shqiptar dhe Drejtuesve të APD-së. 

Dy deputete të Asamblesë Kombëtare të Francës, znj. Mireille Clapot dhe znj. Valérie Thomas, Ambasadorja e Francës në vendin tonë, znj. Christina Vasak, si dhe përfaqësues të “Aides Actions Internationales Pompiers”, gjatë takimit të  zhvilluar në APD, u njohën me kapacitetet e Portit të Durrësit si dhe ndikimin  e tij të rëndësishëm për  qytetin dhe vendin tonë.

Drejtori Vengu,  i njohu të pranishmit me kapacitetet e Portit,  ndërsa  falenderoi  për kontributin e dhënë  nga qeveria franceze  në  situatën e krijuar  në disa zona të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të kaluar në Shqipëri.

Gjatë diskutimit mes të pranishmëve u panë mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke shfrytëzuar eksperiencën franceze në këtë drejtim.  

“Aides Actions Internationales Pompiers” kanë një përvojë të gjatë në ndihmën dhe kontributin në disa vende të prekura nga tërmeti.

Pas takimit delegacioni zhvilloi një vizitë dhe në kalatat portuale të Portit detar.