Në portin e Durrësit gjatë sezonit veror të këtij viti janë ankoruar 9 kroçera dhe anije luksoze, me 5205 turistë gjithsej, thuajse i njejti numër me turistët që mbërritën gjatë gjithë vitit 2014. Deri në fund të këtij viti është programuar mbërritja e pesë kroçerave të tjera, me rreth 2500 turistë të tjerë në bord.
Menjëherë pas ankorimit të anijeve turistike në kushte shumë të mira sigurie në kalatat qendrore të portit udhëtarët nisen për shëtitje të organizuara në Tiranë, Krujë, Durrës, apo Berat, ose vizitojnë individualisht qendrat muzeale dhe arkeologjike të qytetit bregdetar. Numrin më të madh të turistëve, afro 4600, e ka sjellë kroçera “Thomson Majesty”, e cila është ankoruar tre herë në portin më të madh të vendit, ndërsa 300 turistë të tjerë kanë zbritur nga kroçera “Ocean Majesty”.
Velieri “Sea Cloud” dhe anija luksoze “Variety Voyager” në pesë lundrimet drejt Durrësit kanë sjellë 300 turistë elitarë gjithsej.