Detarët shqiptarë si qytetarë të botës. Përjetimet e pandemisë për Komandant Fatmir Varfin dhe rikthimi i tij pas 23 vitesh në Portin e Durrësit/ 23 korrik 2020

Komandanti i anijes “Thunder”, Fatmir Varfi ka mbërritur në portin e Durrësit pas 23 vjetësh dhe ka gjetur një pamje krejtësisht tjetër.


“Ishte viti 1997, kur e lashë qytetin ku linda dhe u rrita. Ndoqa thirrjen e kahershme të detit” – tregon Fatmiri, i cili këtë herë mund të dalë nga porti në qytet.

Anija 2,600 tonëshe me çimento është ankoruar përsëri në kalatën 1, por kur erdhi në muajin prill për herë të parë marinarët duhet të respektonin rregullat e pandemisë nga Covid 19.


“Të gjithë marinarët janë shqiptarë, 8 gjithsej, por askush nuk dilte dot nga anija apo të shkonte në shtëpi. Duhet të respektonim rregullat e vendosura nga Autoriteti Portual Durrës “– tregon Fatmiri.


Komandanti Varfi ka kryer ciklin shkollor parauniversitar në Durrës, ndërsa ka vijuar studimet në Shkollën e Navigacionit në Vlorë.

64-vjeçari, pas viteve 1990 ka lundruar fillimisht si marinar i thjeshtë në portet e Greqisë, ndërsa më pas ka marrë të gjitha patentat dhe liçensat e nevojshme përdrejtimin e anijeve.


Në Palermo (Itali) ku ka krijuar familje, fqinjët e thërrasin “Comandante” dhe nuk gabojnë pasi pamja e tij dëshmon për një marinar të regjur nëpër detra.


Fatmir Varfi është i kënaqur që është rikthyer në Durrës, ndërsa nuk është e vështirë të kuptosh se tashmë prej vitesh komandanti i anijes “Thunder” është një qytetar i botës.

*Shënim: Fotoja ilustruese nuk është realizuar gjatë periudhës së pandemisë. Bashkëbisedimi u realizua me shokun e tij të fëmijërisë, zëdhënësin e APD-së, Gëzim Kabashi.