Moti i keq dhe deti i trazuar në brigjet e Italisë jugore ka shkaktuar vonesa të mëdha të trageteve të linjës Bari – Durrës.
Burime nga Qendra e Informacionit në APD, bëjnë me dije se dje, mëngjesin e së martës, në Terminalin e Udhëtarëve në Durrës nuk është ankoruar asnjë nga tragetet e linjës.
Një nga tragetet ka patur vështirësi të mëdha dhe është detyruar ti drejtohet portit të Brindizit-thanë burimet, sipas të cilave trageti tjetër ka qëndruar për orë me radhë i ankoruar në distancë nga bregu, në veri të Barit.
Sot paradite, trageti “AF Francesca” që u nis natën e kaluar nga Brindizi ka mbërritur në Durrës rreth orës 8.25, ndërsa parashikohen vonesa të mëdha për tragetin tjetër të së njejtës linjë. Trageti “Rigel III”, që u nis sot rreth orës 07.00 pritet të ankorohet në Durrës në orët e para të pasdites.
Sot rreth orës 15.30 parashikohet të mbërrijë në Durrës pa probleme edhe trageti “AF Michela”, i cii është nisur mbrëmjen e kaluar nga porti i Ankonës.