Dhurimi vullnetar i gjakut, stafi i APD-së i ribashkohet nismës “Dhuro gjak, shpëto jetë”/ 5 mars 2024

                                                                     

Në kuadër të sensibilizimit për dhurimin vullnetar të gjakut si shprehja më e qartë e humanizmit por edhe përgjegjësisë sociale të kompanisë në funksion të suportit dhe kontributit për pacientët në nevojë, edhe këtë vit Autoriteti Portual Durrës i është ribashkuar nismës së Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut “Dhuro gjak, shpëto jetë.”

Nën kujdesin e stafit të Njësisë Epidemiologjike dhe në kushte optimale higjieno-sanitare, pranë ambjenteve të kësaj strukture, një numër punonjësish të APD-së, të cilët e kanë kthyer tashmë në traditë kontributin nëpërmjet dhurimit vullnetar të gjakut, u angazhuan për dy ditë rradhazi në mbështetje të kësaj fushate. Procesi i dhurimit të gjakut paraprihet nga protokollet e kontrollit dhe përcaktimit të gjendjes shëndetësore të dhuruesit i cili i nënshtrohet matjes së tensionit arterial, temperaturës dhe nivelit të hemoglobinës.

Të ndërgjegjshëm se plotësimi i nevojave për gjak në vend është një sfidë mjaft e vështirë por me një rëndësi jetike urojmë që ky akt solidariteti i stafit të kompanisë tonë të shërbejë në sensibilizimin publik duke theksuar se dhurimi i gjakut nuk kërkon më shumë sesa disa minuta, por dhuron një jetën për dikë tjetër.