Diskutohet në Portin e Durrësit paketa ligjore për turizmin detar: burimet detare dhe mbrojtja e mjedisit në qendër të zhvillimit tonë ekonomik/ 22 shtator 2020

Klosi: Kemi miratuar ligje të reja në fushën e turizmit detar

Klosi: Ekonomia detare duhet të zhvillohet miqësore me mjedisin 

Klosi: Po zhvillojmë një diskutim publik me gjithë aktorët për një filozofi të re të zhvillimit ekonomik përmes detit

Qeveria shqiptare ka miratuar paketën ligjore të turizmit detar, e cila do të kalojë shumë shpejt në parlament. Këtë gjë ka bërëtë ditur nga Porti i Durrësit,  Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë aktivitetit të zhvilluar në kuadër të Ditëve Ndërkombëtare të Bregdetit, Shëndetit Mjedisor dhe Turizmit. 

Kreu i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu, në fjalën e hapjes së akvitetit, paraqiti statistikat që dëshmojnë se transporti detar, qoftë ky turistik apo tregtar, është ndër sektorët që ka një kontribut masiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe i cili mbart potencialin më të lartë të punësimit në vend. 

“Që ky zhvillim të jetë edhe më dinamik dhe i qëndrueshëm qeveria shqiptare po mbështet sektorin e shërbimeve detare dhe portuale, në mënyrë që facilitetet tona portuale të konkurrojnë me ato të Adriatikut dhe Jonit, duke siguruar njëkohësisht jo vetëm mirëmbajtjen e zonave të mbrojtura por edhe standardet mjedisore të anijeve që lundrojnë në ujrat tona”. 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Portual Durrës kanë miratuar javën e kaluar një paketë vendimesh që vijnë në mbeshtetje të operatorëve portuale, për të rregulluar tregun e shërbimeve portuale në Durrës, dhe për të rritur cilësinë e tyre, në mënyrë që mjetet lundruese turistike, vendase apo të huaja, të mund të kenë një gamë më të gjerë shërbimesh në portet tona. 

“Gjithashtu duke nisur nga Janari 2021 Porti i Durrësit do të ofrojë tarifa preferenciale për anijet që respektojnë standartet mjedisore europiane dhe operatorët portualë që investojnë në përdorimin e energjive të rinovueshme ”, theksoi Vengu.

“Tashmë kemi një paketë të re ligjore për turizmin detar, ku përfshijmë heqjen e TVSH-së për jahtet, ligjin për turizmin detar, dhe së fundmi ligjin që presim të miratojmë së shpejti për regjistrimin e mjeteve lundruese për të rritur aktivitetet turistike në vendin tonë. Ky legjislacion vjen në përputhje me konventat Evropiane dhe Ndërkombëtare, për t’a bërë Shqipërinë një vend atraktiv, me një ofertë të plotë turistike të detit dhe tokës, për të ndërtuar në mënyrë të plotë, të saktë dhe natyrisht të mirë diskutuar hartat shqiptare ku do të zhvillohen aktivitetet e turizmit detar dhe ku do të zhvillohen aktivitetet e shërbimeve, duke ofruar lehtësi që na bëjnë një vend më atraktiv dhe konkurrues në raport me vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe rajonit”, tha Ministri Klosi.  

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Prefekti i Qarkut Durrës, Drejtori i Drejtorisë së Përgjthshme Detare, drejtues tëinstitucioneve lokale, si dhe përfaqësues të agjencive dhe operatorëve portualë.