Dita e Ujit të Bekuar në mjediset portuale, APD kujdeset për mbarëvajtjen e ceremonisë 6 janar 2014

Qindra besimtarë ortodoksë në Durrës kanë kremtuar të hënën e 6 janarit, Ditën e Ujit të Bekuar. Ceremonia e hedhjes së Kryqit në ujë, u zhvillua në kalatën 5 të portit, menjëherë pas meshës së paradites në katedralen e Shën Pavlit dhe Shën Astit. Besimtarë të shumtë, së bashku me dhjetra qytetarë të tjerë durrsakë lëvizën drejt hyrjes nr 2 të portit dhe iu drejtuan mjediseve portuale.

Drejtoria e përgjithshme ekzekutive e Autoriteti Portual, si çdo vit kishte marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e ceremonisë, që nga shoqërimi i korteut të besimtarëve drejt kalatës 5, pranë së cilës u zhvillua rituali, deri te kujdesi për shëndetin dhe shoqërimin me motobarkë të të rinjve që sfiduan ujrat e ftohta, për kapjen simbolike të Kryqit.

Mes tre djemve të rinj, fati i buzëqeshi studentit 19-vjeçar Xhuliano Arapi, i cili më pas tha se e ndjente veten mjaft të gëzuar, duke uruar njëkohësisht paqe dhe qetësi për të gjithë.

Kremtimi i Ditës së Ujit të Bekuar në Durrës është një nga ceremonitë qytetare që zhvillohen në mjediset e Portit më të madh të vendit.