Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Afrim Bakaj, prezantohet me stafin e APD

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, z. Afrim Bakaj, u prezantua sot në mesditë në detyrën e re, me grupin e drejtuesve të Departamenteve dhe Sektorëve në Drejtorinë Ekzekutive të APD.

Kryetari i Këshillit Drejtues të APD, Gledian Llatja, dhe nënkryetari i këtij Këshilli, Indrit Cërloj, ishin sot në APD për të prezantuar Drejtorin Bakaj.

Z. Gledian Llatja, njëkohësisht Drejtor i Kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë fjalës së prezantimit, pasi vlerësoi punën e deritanishme tha se tashmë synohet që porti të hedhë hapa të rëndësishëm në fushën e investimeve. Sipas z. Llatja porti i Durrësit duhet të jetë në të ardhmen një port konkurues në rajon.

Drejtori Ekzekutiv i APD, Afrim Bakaj, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi drejtuesit e dikasterit dhe jo vetëm, për mbështetjen që po i japin që në fillim të detyrës.

Z. Bakaj vlerësoi profesionalizmin e drejtuesve të sektorëve, dhe njëkohësisht kërkoi më shumë impenjim për realizimin e objektivave për të ardhmen.

Të premten e kaluar, Këshilli Drejtues i APD vendosi emërimin e z. Bakaj në postin e Drejtorit të Përgjithshëm, sipas propozimit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Z. Afrim Bakaj, Drejtor Ekzekutiv i APD

Z. Afrim Bakaj ka kryer studimet dhe masterin shkencor (2016) në Fakultetin Juridik të Universitetit “Luarasi” (Tiranë), ndërsa më parë kishte përfunduar Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve (1986).

Që nga viti 2016, z. Bakaj ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual Durrës.

Në vitet 2013-2016, ai ka patur detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit AKU.

Gjatë periudhës 2004 – 2013, z. Bakaj ka mbuluar disa detyra drejtuese në ndërmarje dhe njësi të Bashkisë Durrës si: (2010 – 2013) Drejtor i Parkut të Udhëtarëve në Durrës; (2009) Kryeinspektor i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor; 2004 – 2009 Administrator i Qendrës Administrative nr 5.

Më parë z. Bakaj ka drejtuar një firmë private (1999 – 2004), ndërsa për afro 12 vjet ka punuar si oficer (1986 – 1998).