Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ka vizituar Portin e Durrësit, ku ka inspektuar nga afër linjën e re të tragetit Durrës-Bari. Gjatë fjalës së tij, z.Haxhinasto u shpreh se : “ Kam ardhur për të inspektuar një linjë të re që vendoset në shërbimin e trageteve midis Durrësit dhe Barit, është linja Anek Lines. I kam garantuar përfaqësuesit e kësaj linje se do të gjejnë një treg i cili në vazhdimësi operon sipas parimeve të tregut të lirë, ku nuk ka vend për abuzime apo praktika të cilat nuk janë normale në vendet e Bashkimit Evropian”.
Hyrja e këtij operatori ka sjellë një ulje të konsiderueshme të tarifave që variojnë midis 20%- 30% dhe është një gjë pozitive pasi reflektohet drejtpërdrejt në shërbimin që u ofrohet qytetarëve shqiptar, shtoi ai. Më tej, Haxhinasto pohoi se “Vëmendja jonë eshte përqendruar në përdorimin e mjeteve sa më të reja, me standartet dhe serviset e kërkuara me qëllim që qytetarët shqiptarë që përdorin këtë lloj shërbimi të shërbehen si qytetarët e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian”.
Gjatë vitës së tij në Portin e Durrësit, z.Haxhinasto ishte ishoqëruar nga Drejtori ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Z. Selim Belortaja, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit si dhe përfaqësues të Kapitenerisë.