Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Selim Belortaja, mesditën e së mërkurës ka pritur në një takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Hellmut Hoffmann dhe Zv/Ambasadorin, Erik Tintrup. Ambasandori, Hoffmann u shpreh gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e APD-së, lidhur me rolin e rëndësishëm që luan Porti I Durrësit, si një ndër portet kryesore të Adriatikut dhe funksioni I tij si një nyjë e rëndësishmë për transportin, favorizuar nga pozicion gjeografik në të cilin gjendet dhe nëpërmjet të cilit kërkohet ushtrimi i përgjegjësive në nivele të larta dhe në mënyrë tepër efiçente. Ndërkohë Z. Belortaja, në emër të APD- së, i njohu të pranishmit me situatën e re të krijuar në Portin e Durrësit pas dhënies me konçesion të tre prej terminaleve dhe nga ana tjetër i njohu me sfidat e reja me të cilat po përballet tashmë Autoriteti Portual Durrës në menaxhimin e marrëdhënieve të reja të krijuara me operatorët privat si dhe në ripërcaktimin e rolit të tij. Takimi I zhvilluar në Autoritetin Portual Durrës përgjatë të mërkurës, hapi siparin e axhendës së takimeve që Ambasadori Gjerman kishte planifikuar të realizonte me përfaqësues te institucioneve shtetërore dhe biznesit gjerman që operon në këtë qytet.